Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

E përkrahu VV-në në studio, analistja merr votat e shumicës për anëtare të KPM-së

Gazeta10
24 May 2023 - 15:30

Kuvendi i Kosovës sot me shumicë votash ka zgjedhur përkrahësen e Lëvizjes Vetëvendosje, Luljeta Aliu, anëtare në Këshillin e Pavarur të Mediave, raporton Gazeta10.

Në votimin e mbyllur ajo mori votat e shumicës së deputetëve për dallim nga Jeta Abazi e cila nuk arriti të merr votat e mjaftueshme të deputetëve.

Luljeta Aliu është e njohur për paraqitjet e saj televizive dhe shkrimet në rrjete sociale, si përkrahëse e hapur e Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Para votimit në Kuvend, ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.

Sekretari i EFJ-së ka bërë thirrje nga Kryeministri Albin Kurti, që është kryetar i LV-së, që të ndalojë “politizimin e mëtutjeshëm” të KPM-së.

“Kuvendi i Kosovës pritet që të zgjedhë sot tre anëtarë të ri të Komisionit të Pavarur të Mediave. Jam thellësisht i shqetësuar të dëgjojë që partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është përgatitur të zgjedhë persona që janë mbështetës publikë të kësaj partie. I bëj thirrje Albin Kurtit të mos lejojë politizimin e mëtutjeshëm të KPM-së”, ka shkruar Gutierrez.

Luljeta Aliu është kandidatja që në nëntor të vitit të kaluar është vlerësuar më së larti për anëtare të KPM-së, nga Komisioni Parlamentar i përbërë në shumicë nga deputetë të LVV-së. Komisioni përbëhej saktësisht nga Komisioni është përbërë nga Njazi Isaku, kryesues (LVV), Valon Ramadani (LVV), Arbëresha Kryeziu – Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Besim Muzaqi (LVV), Fidan Jilta (nga 6+), Valentina Bunjaku (LDK), Albana Bytyqi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK), Isak Shabani (PDK).

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Me Kushtetutën e Kosovës, KPM përcaktohet organ i pavarur. Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.