
Raporti: Saranda Alshiqi
Rrjedha e ujërave të zeza, afër shtëpive e në toka të fshatit Pasjak të Komunës së Novobërdës, po shkakton problem tash e shtatë muaj për banorët e kësaj zone. Sipas tyre, dëmtimi i gypit u bë pas shtrimit të rrugës, derisa zgjidhje nuk u bë edhe pas shumë ankesave. Për këtë nga Komuna e Novobërdës premtohet se do të shqyrtohen mundësitë për sanimin e gypit.
Dëmtimi i gypit të ujërave të zeza, është bërë problematik për banorët e fshatit Pasjak të Komunës së Novobërdës.
Përveç kundërmimit, ujërat e zeza kanë shkaktuar dëme edhe në shtëpitë e banorëve të këtij fshati derisa rrjedha e tyre vazhdon edhe në rrugë.
Ata thonë se disa herë zyrtarët komunal kanë ardhur për ta parë gjendjen por pa asnjë rezultat.
Sipas tyre gjatë reshjeve atmosferike jetesa bëhet edhe më e vështirë në këtë fshat.
Për këtë nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri thotë se problemi është shkaktuar nga operatori ekonomik. Ai ka premtuar se do të shohin mundësinë e intervenimit.
“Ky problem është shkaktuar nga operatori ekonomik gjatë asfaltimit të rrugës në atë fshat. Bashkë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike do të shohim mundësinë e intervenimit sa më të shpejtë për sanimin e këtij problemi.”
Dhjetëra shtëpi banimi vazhdojnë ta kenë këtë problem që nga tetori i vitit të kaluar./Gazeta10