Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Presidentja Osmani jep detaje të takimit me Vuçiqin (Video)

Gazeta10
02 June 2023 - 18:47

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dhënë detaje nga takimi që kishte të enjten me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Sipas Osmanit, në atë takim Kosovës iu kërkuar organizimi i zgjedhjeve të reja, për të cilat kishte gatishmëri por me disa kushte. Presidentja shtoi se ka kërkuar nga Vuçiq  ta largonte ushtrinë e tij nga kufiri me Kosovën dhe ta heqë mbështetjen ndaj bandave kriminale.

Për dallim nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjidhja e situatës në veri është shumë afër.

Si zgjidhje për tejkalimin e krizës, Osmani ka përmendur mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës.

Madje, ajo ka thënë se për këtë janë duke punuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për media, në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani ka bërë të ditura kërkesat që ia kanë adresuar asaj presidenti i Francës, Emanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh. Dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, sqaroi Osmani.

Përveç Macronit e Scholzit, në takim së bashku me Osmanin ka qenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka treguar bisedat që ka pasur me Vuçiqin, teksa ka thënë se ai ishte i tërbuar.
“I kërkova që ta largonte ushtrinë e tij nga kufiri me Kosovën. I kam kërkuar që të heqë mbështetjen ndaj këtyre bandave kriminale që po u shkaktojnë dhimbje qytetarëve të thjeshtë, veçanërisht serbëve që jetojnë në veri duke i frikësuar dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Dhe në fund, ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për të zbatuar plotësisht çdo pikë të marrëveshjes, e cila u arrit në Bruksel dhe në Ohër. Vuçiq ishte i tërbuar, siç e dini, i pëlqen të ofendojë në gjuhën e tij, por ajo që ishte e rëndësishme është se ne morëm këshillat e aleatëve tanë për këtë takim”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se ka kërkuar që Beogradi t’i ndalojë bandat kriminale në veri.

Ndërkaq, për Asociacionin ka thënë se janë zotuar që ta respektojnë këtë obligim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Të enjten pas takimit me dy presidentët Osmani e Vuçiq, përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka publikuar tri kërkesa për të dalë nga kriza në veri: Zgjedhjet e reja lokale, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.