
Raporti:E.Janova/A.Kastrati
Para fillimit të vitit të ri shkollor, prindërit po përballen me çmime te larta në materialet shkollore, të domosdoshme për nxënësit. Menaxherja e Europrint, Linda Avdullahu, ka thënë se rritja e çmimit të fletoreve dhe çantave vjen si pasojë e rritjes së kostos së transportit dhe letrës. Çmimet sipas saj janë rritur rreth 30%. Prindërit këtë po e konsiderojnë të papërballueshme për buxhetin e tyre, shkruan Kanal10.
Teksa po përballen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve në produktet bazë, rritje të çmimit kanë shënuar edhe materialet shkollore për nxënësit.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, prindërve u janë shtuar kërkesat e fëmijëve për t’u blerë pajisje shkollore, fletore e çanta që këtë vit kushtojnë më shtrenjtë se vitin e kaluar.
Ndërsa, menaxherja e Europrint, Linda Avdullahu, ka thënë se çmimet e fletoreve, çantave janë rritur për shkak të rritjes së kostos së transportit dhe letrës.
Kurse, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se rritja e çmimeve do të ketë ndikim në buxhetet familjare, duke thënë se i vetmi lehtësim për prindërit është dhënia e teksteve shkollore falas.
Ende nuk dihet nëse viti i ri shkollor do të nisë në kohë, për shkak të grevës që ka filluar javën e kaluar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Derisa, Ministria e Arsimit ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e procesit mësimor. /Gazeta10