
Raporti: Gresa Bardhecaj
Një 11 vjeçare dyshohet se është dhunuar të shtunën nga pesë persona në Prishtinë, derisa ishte duke ecur në park. Sipas dosjes së prokurorisë, viktima ishte dhunuar fillimisht nga dy persona, e më pas ishte dhunuar edhe nga tre persona të tjerë, të cilët ndodhen në arrati. Ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit, shkruan Kanal10.
Derisa ishte duke ecur në një park të kryeqytetit, një e mitur fillimisht u ngacmua me fjalë e më pas dyshohet se u dhunua seksualisht nga pesë persona.
Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë ngjarja e rëndë që ndodhi të shtunën. Aty thuhet se e mitura ishte dhunuar fillimisht nga dy persona, nga një i mitur dhe një i moshës madhore.
Siç theksohet në dosjen e prokurorisë, në afërsi të shtëpisë së saj, një person i tretë së bashku me tre persona të tjerë e kishin futur në veturë të miturën dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari, ku ishte dhunuar sërish.
Lidhur me këtë rast, janë arrestuar dy të dyshuar të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit.
Kurse, 3 të dyshuarit e tjerë ndodhen në arrati. Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por që nuk kanë dhënë më shumë detaje për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Nga Rrjeti i Grave të Kosovës janë shprehur të shqetësuar se deri më tani janë arrestuar vetëm dy persona, derisa kanë kërkuar dënim meritor për të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje të trisht.
Sipas organeve të rendit, viktima e moshës 11 vjeçare është dërguar në strehimore. /Gazeta10