Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Kujdes me lirinë” – Diplomatët “qortojnë” Kurtin për Klanin (Video)

Gazeta10
16 June 2023 - 19:11

Raporti:Arbenita Ilazi

Diplomatë ndërkombëtarë e organizata të shumta për mbrojtjen e gazetarëve kanë reaguar gjatë ditës për ndërhyrjen e qeverisë Kurti në funksionimin e mediumit Klan Kosova. Zyra e BE-së dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë kërkuar maturi dhe kujdes në këtë çështje shumë të ndjeshme për lirinë e medias. Ndërsa organizatat e gazetarëve e kanë cilësuar të dëmshëm për demokracinë vendimin e qeverisë. Kanal 10 iu bashkua solidarizimit të mediave kosovare duke vendosur logon e Klanit në transmetimet live.

Reagime të shuma ka nxitur pezullimi i licencës biznesore të Klan Kosova nga qeveria e Kosovës.

Të premten, zyra e BE-së i ka quajtur shqetësuese këto zhvillime që mund të ndikojnë në përkeqësimin e lirisë së mediave.

“Të shqetësuar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës. Bashkimi Evropian po monitoron nga afër zhvillimet. Vëmendja është e përqendruar veçanërisht në ndikimin e mundshëm në lirinë e medias. BE mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre. Edhe ambasada e ShBA-së, në Kosovë, ka thënë se vendimi i MINT për pezullim të licencës ndaj Klan Kosovës, ka qenë i papritur”, thuhet në reagimin e tyre.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abott i cili ka thënë se po e vëren shqetësimin e shoqërisë civile për këtë rast.

“Po e ndjek me vëmendje rastin e Klan Kosovës dhe vërej se vendimi për licencën e biznesit të saj është ende objekt ankimimi. Vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, deklaroi ambasadori.

Reagimet erdhën edhe nga ambasada amerikane, dhe ambasadori gjerman.

Rhode tha se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është krejt i papritur dhe se procedurat në vazhdim duhet të jenë të drejta dhe të mos kërcënojnë rritjen mbresëlënëse të Kosovës në renditjen e fundit globale për lirinë e medias.

Reagime për veprimin e qeverisë kanë bërë edhe organizatat kryesore botërore për liriinë e mediave.

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit (ECPMF), bashkë me tri organizata tjera për lirinë e medias, IPI, EFJ dhe IFJ, kanë reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

 “Veprimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë jashtëzakonisht serioze dhe paraqesin rrezik serioz për ushtrimin e lirisë së mediave në Kosovë. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që certifikata e biznesit të një transmetuesi pezullohet në një mënyrë të tillë. Tërheqja e certifikatës së biznesit, e cila mund të çojë në heqjen e licencës së transmetimit, është një masë shumë ekstreme dhe duhet të merret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me shtetin ligjor”, shkruan Qendra Evropiane për Liri të Shtypit.

 Një ditë më herët shumica e mediave kosovare u solidarizuan me kolegët e Klan Kosova duke vendosur logon e këtij medium në transmetimet e tyre.

Kësaj nisme solidarizimi iu bashkua edhe Kanal 10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.