
Klan Kosova ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimin e një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion.
Sipas Klan Kosovës, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së punon për Klan Kosova, por që televizioni ka thënë se ky fakt nuk qëndron.
Prestreshi është raportuar se është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.
Në vendimin që ka siguruar Betimi për Drejtësi thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.


Ndryshe, më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër./BetimipërDrejtësi