
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është prononcuar sërish pas takimit me ndërmjetësuesit evropianë në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka ritheksuar tri pikat kryesore të cilat i ka diskutuar gjatë takimit që zhvilloi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Siguri, Josep Borrel dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Kurti ka thënë se në këto takime ka dhënë dëshmi për rrëmbimin e tre policëve nga shteti serb.
“U takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak, por jo me presidentin e Serbisë, i cili refuzoi të marrë pjesë. Unë dhashë dëshmi për rrëmbimin e tre policëve tanë – të mbajtur për më shumë se një javë – dhe diskutova de-përshkallëzimin, zgjedhjet e reja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore”, shkroi ai.