
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë çdo veprim që mund të kontribuojë në procesin e apelit ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Rrustemi ka thënë se VV-ja është e interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se, sipas tij, tashmë ka hequr dorë nga kërkesa që presidenti të jetë nga radhët e Vetëvendosjes.
“Ne jemi shumë të interesuar dhe shumë të gatshëm për ta gjetur një zgjidhje. Pa asnjë dyshim, ne kemi hequr dorë nga çfarëdo kërkese që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. Qëndrimi ynë së fundmi ka qenë për një president konsensual, për të cilin minimalisht, ose le të themi parimisht, pajtohemi të gjitha partitë politike që të bëhemi pjesë e këtij procesi”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka theksuar se pas zhvillimeve të 16 shtatorit është e domosdoshme që institucionet të funksionalizohen dhe se, sipas tij, nuk ka më hapësirë për kalkulime politike që mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.
Sa i përket mbështetjes së procesit të apelit, Rrustemi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për bashkëpunim të plotë.
“Në raport se çka mund të bëjmë me këtë betejën e përbashkët, ne jemi të gatshëm për gjithçka, çdo gurë për të lëvizur, pa asnjë dyshim. Pajtohem që i shërben të vërtetës historike, përmbysjes së procesit dhe përmirësimit ose korrigjimit dhe, natyrisht, rrëzimit të atyre pretendimeve që, për bindjen tonë, janë të paqena krejtësisht”, ka deklaruar ai.
Rrustemi ka shtuar se për realizimin e këtyre synimeve nevojiten, para së gjithash, institucione stabile./Gazeta10