Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK reagon ndaj deklaratës së ambasadorit britanik: Mos e reduktoni dhe mos e relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës

Gazeta10
29 September 2026 - 21:16

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, gjatë ditës ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mbetet krenare për rolin e saj në Kosovë dhe e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se dënimet e fundit nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë apo sovranitetit të Kosovës.

Hargreaves ka kujtuar se në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin në Han të Elezit si pjesë e misionit të NATO-s, të autorizuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndalur spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullsisë civile në Kosovë.

“Politikat katastrofike të Sllobodan Millosheviçit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar mirë në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit”, ka shkruar Hargreaves.
Ambasadori britanik ka thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, kishte shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë për situatën e rëndë humanitare, ndërsa Milosheviçi, sipas tij, refuzoi të gjitha përpjekjet për paqe, duke çuar në fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe në veprimin e NATO-s në Kosovë.

Hargreaves ka theksuar se Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin qendrore në luftën e saj për çlirim.

“Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbrojtur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për rajonin në tërësi”, ka shkruar ambasadori britanik.
Duke folur për dënimet e fundit, Hargreaves ka thënë se ato kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme.

“Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë së Kosovës, sovranitetit të saj apo të drejtës për të përcaktuar të ardhmen e vet, të cilat Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbrojë fuqishëm. Personat e dënuar kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve të tyre”, ka deklaruar Hargreaves.

Ambasadori britanik ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht, në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar Hargreaves.
Ndërkohë PDK-ja ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik.

Sipas PDK-së, deklarata e Ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves se aktgjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës ka të bëjë me “krime individuale” është një reduktim i papranueshëm diplomatik i një vendimi me pasoja të gjera historike e politike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sipas konstatimeve të aktgjykimit, janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në të ashtuquajturin qëllim të përbashkët kriminal të UÇK-së”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK tha se po të njëjtit, është fakt i njohur se ishin edhe ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe në vitin 1999.

“Prandaj, të thuash se bëhet fjalë për “krime individuale” nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën. Asnjë gjuhë diplomatike nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e papranueshme të këtij aktgjykimi dhe as pasojat e tij në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës”
Sipas PDK-së, drejtësia ndërkombëtare, fatkeqësisht, sot në Kosovë po perceptohet vetëm si instrument politik për të përcaktuar se cilat figura politike të Kosovës duhet të largohen nga skena politike dhe cilat duhet të mbështeten, sepse Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë.

“Kosova e vlerëson rolin historik të Britanisë së Madhe në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, por kritikat ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara janë ngritur edhe nga ekspertë dhe organizata britanike të të drejtave të njeriut. Bar Human Rights Committee of England and Ëales ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara”.

Gjithashtu PDK vlerëson se, këto shqetësime nuk duhet të injorohen nga shtetet që e mbështesin dhe e financojnë këtë institucion, sidomos nga Britania e Madhe.
Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik, në institucione dhe në çdo hapësirë demokratike ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë, siç po dëgjohet edhe tani gjithandej botës.

Në fund të reagimit thuhet se “Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet. Të ardhmen e Kosovës e përcaktojnë vetë qytetarët e saj”.

Gjykata Speciale, më 16 shtator dënoi në shkallën e parë ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.