Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ngriten dyshime për dorëheqjen e Samedin Mehmetit            

Gazeta10
31 August 2022 - 19:53

Raporti: Erëza Janova/Kanal10

Deputetë të partive opozitare kanë ngritur dyshime se dorëheqja e Samedin Mehmetit nga pozita e drejtorit të policisë mund të jetë e ndikuar politikisht. Ata thonë se ka pasur shumë raste të tjera kur Mehmeti është dashur të jap dorëheqje, por që nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mirëpo, qëndrim tjetër kanë nga partia në pushtet, nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët e kanë përshëndetur vendimin e Mehmetit, shkruan Kanal10.

Deputetë të partive opozitare kanë ngritur dyshime se ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje për arsye tjera, të cilat nuk lidhen me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Përkundër që Mehmeti e vlerësoi si akt moral dorëheqjen pas dhunimit të së miturës, nga opozita nuk e përjashtojnë mundësinë që vendimi i tij të ketë qenë i ndikuar politikisht.

“Duke njohur nga afër personalitetin e z.Samedin Mehmetit, integritetin e tij moral dhe profesional, jam mëse i bindur se edhe ai e ka përjetuar rëndë këtë rast dhe besoj se arsyetimi i tij është i besueshëm. Sidoqoftë, nuk e përjashtoj mundësinë edhe të ndonjë faktori tjetër shtytës për këtë vendim, por për më shumë, mbetet në diskrecionin e z.Samedin Mehmetit”.

Nga PDK e AAK thonë se ka pasur shumë raste tjera kur Mehmeti do të duhej të jepte dorëheqje, por që i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas tyre, do të ishte më mirë që përmes pozitës së tij, të kërkonte drejtësi për rastet e dhunimeve.

Mirëpo, dorëheqjen e Mehmetit e kanë përshëndetur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i këtij subjekti, Mefail Bajqinovci ka thënë se pas rasteve të tilla, duhet të reflektojnë institucionet.

Pas dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona në Prishtinë, Mehmeti e ka cilësuar dorëheqjen si akt moral e profesional. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.