
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, u ka bërë thirrje partive opozitare që të kontribuojnë në zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që vendi të shmangë shkuarjen në zgjedhje të reja.
Kurti ka thënë se do të ishte e pafalshme që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje dhe më pas të përfundojë në të njëjtën situatë politike.
“Përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes VV-së dhe LDK-së. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje sërish për të ardhur prapë në të njëjtën pikë”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që ta zgjidhin çështjen e presidentit dhe t’i mundësojnë vendit funksionimin e plotë institucional.
“Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve, le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, tha ai.
Kreu i Qeverisë theksoi se kompromisi politik është i mundur dhe se ai mund të sjellë rezultate. Si dëshmi për këtë, Kurti përmendi konstituimin e Kuvendit të Kosovës.