Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mijëra protestues kërkojnë llogari nga shteti për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Gazeta10
31 August 2022 - 19:48

Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10

Mijëra protestues kanë marshuar në rrugët e sheshet e kryeqytetit, për rastin e dhunimit të 11 vjeçares, duke kërkuar drejtësi e siguri për vajzat. Ata kanë hedhur ngjyrë të kuqe para dyerve të institucioneve të vendit, derisa kanë bërë thirrje që shteti të mos i neglizhojë rastet e tilla, shkruan Kanal10.

Dhunimi i 11-vjeçares, rast ky që tronditi vendin, mblodhi mijëra protestues në sheshet e Prishtinës.

Të prekur jashtëzakonisht shumë për këtë krim monstruoz, turmës nuk i shihej fundi, teksa shumë prej pjesëmarrësve nuk arrinin t’i mbanin lotët.

Madje, me gjithë vështirësitë, pati edhe prej atyre që dolën për të kërkuar llogari për rastet e dhunimeve që kanë marr përmasa shqetësuese. 

Kështu, qytetarë të shumtë, aktivistë të shoqërisë civile, politikanë e figura publike, përmes kësaj proteste përçuan edhe njëherë mesazhin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe në objektin e Prokurorisë së Shtetit, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe të Ministrisë së Drejtësisë.

Marshi i tyre vazhdoi te para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku në duar mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme, në mesin e tyre duke zbuluar edhe emrat e pesë të dyshuarve për dhunimin e 11 vjeçares.

“5 burra, 7 orë, çika 11 vjet” e “ ku ishit të shtunën” janë vetëm disa prej thirrjeve përmes të cilave protestuesit kërkonin llogari nga organet e drejtësisë.

E pjesëmarrësit të cilët ishin në numër masiv rastin e dhunimit të 11 vjeçares e konsiderojnë dështim të shtetit dhe shoqërisë.

Aktiviste të shoqërisë civile kanë qëndruar për orë të tëra para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogari nga institucionet e vendit, për rastet e dhunimeve, që me gjithë thirrjet nuk po marrin fund. /Gazeta10

https://youtu.be/wBumEuD9wEc

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.