
Armando Broja ka hedhur pas krahëve dëmtimin në ligamentin e gjurit dhe është rikthyer në stërvitjen parasezonale me Chelsean.
Sulmuesi i kombëtares pret një sezon të madh teksa në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit anglez në rrjetet sociale, theksoi se ndjehet mjaft i lumtur që rikthehet sërish mes shokëve të skuadrës.
“Ndjehem shumë mirë për faktin që jam rikthyer në stërvitje dhe jam sërish mes shokëve të skuadrës, është mirë të ndihesh sërish pjesë e grupit. Isha për një kohë të gjatë larg skuadrës dhe nuk ishte aspak e lehtë të qëndroja ashtu i “vetmuar”. Por, jam i lumtur që jam me shokët dhe po shijoj sërish fushën. Kam gjetur forcat dhe energjinë për të nisur punën pak më herët këtë sezon dhe tani jam me skuadrën në fazën përgatitore, jam shumë i lumtur. Pres një sezon të madh ndaj më duhet të përgatitem, nuk është e lehtë të kthehesh pas një dëmtimi aq të rëndë”, theksoi Broja.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte lënduar në fund të vitit të kaluar dhe si pasojë e atij lëndimi humbi pjesën e mbetur të sezonit.
Në javët e ardhshme pritet të vendoset përfundimisht për të ardhmen e Brojës, se a do të qëndrojë të Chelsea apo karrierën do të vazhdojë diku tjetër.