
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Shtensionimi i situatës në komunat veriore po mirëpritet, porse njohës të kushtetutës thonë se plani i pranuar nga qeveria e vendit, është në kundërshtim me aktin me të lartë juridik në vend. Ata thonë se çdo bartje e sovranitetit nga ana e institucioneve tona duhet domosdoshmërish të shkohet përmes ratifikimit në Kuvend.
Njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, mirëpret marrëveshjen për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Por, ai thotë se Bashkimi Evropian duhet të mos tentojë të përafrojë Serbinë përmes lëshimeve ndaj Kosovës.
Madje, ai thotë se masat ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës janë të padrejta, pasi Kosova në veri ka vepruar në përputhje me legjislacionin dhe kushtetutën e vet.
Por, plani katër pikësh i arritur mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri po shihet si anti-kushtetues.
Pika 3 e këtij plani, thekson se: Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë
E pikërisht kjo pikë sipas ekspertëve përbën shkelje kushtetuese.
Mendim të njëjtë ndanë dhe avokati Ardian Bajraktari i cili thotë se çdo bartje e sovranitetit duhet të ratifikohet në Kuvend.
Përveç kësaj, përmes këtij plani, institucionet e Kosovës janë pajtuar që t’i tërheqin 25 për qind të policëve në dhe përreth objekteve të komunave në veri të vendit.
Po, ashtu Qeveria është pajtuar që të ri-organizohen zgjedhjet e reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pas verës.