Këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani, ka akuzuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, se nuk ka dhënë leje për shfaqjen e filmave shqip “I pabesi” dhe “Heshtja vret” në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë më 10 qershor kur ishte e planifikuar që ata të shfaqeshin.
Shfaqja e tyre ishte ndaluar nga autoritetet serbe dhe në po të njëjtën ditë ishin intervistuar nga policia producenti i filmave, Gani Veseli dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili.
Për filmat e sponsorizuar nga Kosova, Sinani tha se Arifi nuk ia dha lejen për t’u shfaqur në Shtëpinë e Kulturës për shkak “të përplasjeve deri në fyerje ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës në çdo paraqitje publike të kryetarit të Komunës”.
“Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sinani.