
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me vendimin e MINT-it për të pezulluar cetifikiatën e biznesit mediumit Klan Kosova.
Lladrovci, ka thënë se Klan Kosova nuk do të mbyllet dhe se mediat kanë bazë të mjaftueshme ligjore për të vazhduar punën, shkruan Gazeta10.
“Nuk dua të besoj se loja me opinionin bëhet për ta mbuluar një skandal me një skandal më të madh. Pse gjithë ky yrysh kundër mediave? Klan Kosova si medium, luajti rol të madh në emancipimin e qytetarëve, ishte medium i cili printe me lajmet e para kushtuar problemeve të njerëzve të zakonshëm, qytetarëve dhe sfidave të tyre. Është e sigurt se Klan Kosova nuk mund të mbyllet. Mediat kanë mbrojtje ligjore dhe bazë të mjaftueshme për të vazhduar punën, por, pyetja themelore është në cilën llogari po shkon mesazhi që del nga kjo tollovi e cila Kosovën e shpall shtet autoritar e jodemokratik”, shkroi ai.
Tutje ai ka thënë se Kosovës po i bëhet dëm në imazh duke e barazuar me një shtet diktatorial.
“Imazhi se Kosova barazohet me shtetet diktatoriale është i dëmshëm. Kosova ka Kushtetutë e ligje që mbrojnë fjalën e lirë dhe mund të korrigjohen gabimet administrative pa masa brutale. Më alarmant është importi vjetor i mallrave me vlerë rreth 400 milionë euro nga Serbia, ikja e të rinjve, mungesa e perspektivës, raportet me Amerikën, sanksionet dhe humbja e 500 milionëve, imazhi i Republikës së Kosovës…”, shkroi ai./Gazeta10