
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.
Gjykata Kushtetuese tha se për pasojë, në nxjerrjen e këtij vendimi, kuvendi i ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse, dhe për më tepër ka cenuar pavarësinë e RTK-së.
“Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas njoftimit të tyre, madje një legjitmitet kushtetues i Kuvendit për shkarkimin e bordit të RTK-së do t’isht i rrezikshëm për pluralizmin mediatik.
“Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, Gjykata Kushtetuese sqaron se ky konstatim i gjykatës nuk ka efekt prapaveprues dhe bazuar në parimin e sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta, përkatësisht anëtarëve të rinj të Bordit të RTK-së.