
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se veprimet e kryeministrit, Albin Kurtit e kanë dobësuar vendin.
Tahiri i ftuar në KTV, është shprehur se pjesa serioze e menaxhimit nga Qeveria e Kosovës është gabim.
“Në rrethanat që sot është Kosova, shihet se Kosova është dobësuar. Veprimet e Kurtit në vend që ta forcojnë sovranitetin, e kanë dobësuar këtë. Në aspektin ekonomik ka një rënie, s’ka asnjë veprim nga Qeveria për ta zbutur këtë. Asnjë investim kapital, asnjë fabrikë asnjë rrugë që do të ndihmonte Kosovën. Pjesa serioze e menaxhimit është gabim, e tash kanë filluar të dalin edhe skandale korruptive.” – ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se partia e tij, AAK-ja, e ka mbështetur Kurtin, kur kanë menduar se po punon mirë, mirëpo kur kanë menduar se është gabim kanë qenë të zëshëm.
“Punën tonë e kemi bërë, AAK-ja nëse e shihni kursin që e kemi pasur, do të thotë aty ku kemi menduar se Kurti po punon mirë, e kemi mbështetur. Në marrëveshje ndërkombëtare, AAK-ja e ka mbështetur edhe me marrëveshjet e Ohrit edhe të Brukselit. E kemi mbështetur edhe për mosmbajtjen e referendumit dhe të zgjedhjet lokale të Serbisë. E kemi mbështetur edhe për marrëveshjen për energjinë. Kur kemi menduar se diçka është mirë, kemi votuar, kur kemi menduar se është gabim kemi qenë shumë të zëshëm.” – ka deklaruar deputeti i AAK-së.
Shefi i GP-së së AAK-së, ka thënë se Qeveria Kurti e ka mbiemrin paaftësisë, dhe sipas tij kjo qeveri është më e paaftë në historia.
“S’po shoh asgjë, është e papranueshme një ministër i financave, një djalë i ri që kurrë një veprim që ka përfituar diçka s’e ka bërë…Qeveria Kurti e ka mbiemrin paaftësi, kjo është qeveria më e paaftë në histori. A bën me m’tregu dikush cilat janë 10 punë që i ka kryer Qeveria Kurti për dy vjet e gjysmë. Nuk e di a do të mund t’i udhëhiqnin shtëpitë e tyre, e lërë më Kosovën.” – ka thënë ndër të tjera Tahiri.