
Kombëtarja e Shqipërisë me rezulatet e marra në qershor, i ka dhënë vetës një mundësi ideale për plasmanin në “EURO 2024”.
“Kuqezinjtë” po synojnë të vazhdojnë me formë të mirë edhe në ndeshjet e shtatorit, teksa sot luan ndaj liderit të grupit E, Republikës Çeke.
Shqipëria ka aktualisht një pikë më pak se Çekia, ndërsa fitorja eventuale do ta bënte kombëtaren shqiptare lidere të grupit.
Në këtë ndeshje në dispozicion të Sylvinhos nuk do të jetë mesfushori Qazim Laçi, i cili për arsye shëndetësore nuk do të luajë këtë muaj.
Për herë të parë me Shqipërinë në këtë grumbullim janë bashkuar edhe dyshja e Kosovës, Mirlind Daku e Arbnor Muja, të cilët pritet të debutojnë me fanelën kuqezi në këtë muaj.
Republika Çeke pas 3 ndeshjeve ka 2 fitore e një barazim, gjersa Shqipëria ka 2 fitore e një humbje.
Këto dy kombëtare janë përballur vetëm një herë në historinë e tyre, madje ajo ndeshje ka qenë vetëm miqësore, e cila përfundoi 3-1 në të mirë të çekëve.
Kualifikimin për në “EURO 2024” e sigurojnë dy vendet e para të grupit, pozita që i synon Shqipëria, Çekia e Polonia. Ndërsa pjesë tjetër e grupit janë edhe Moldavia e Ishujt Faroe.