
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se nesër do të mbajnë sërish protestë për rastin tronditës të përdhunimit të një 11–vjeçareje nga pesë persona.
“Protesta e së mërkurës kundër përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 djem e burra, na çoi tek informata të reja që e dyfishojnë fajin e shtetit në këtë krim. Të premten u arrestuan edhe 6 burra tjerë të cilët në qershor e kishin trafikuar, e kishin dhunuar dhe e kishin shfrytëzuar për shërbime seksuale të miturën. Përkundër kësaj, ne jemi pa llogaridhënie prej Prokurorisë së Shtetit që kanë dështuar ta mbrojë viktimën dhe ta parandalojë përdhunimin e saj në gusht”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës ka nisur punën për aprovimin e kërkesave të protestës së mërkures.
“Ndonëse e mirëpresim këtë, ne do t’i qëndrojmë mbrapa të gjitha kërkesave tona deri sa të gjitha të realizohen. Në këto kushte, protesta e nesërme nuk mund të ndalet tek Qeveria. Ajo do të vazhdojë drejt KPK-së, ku do të kërkojmë shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi”, thuhet në njoftim./Gazeta10