
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në rrjetin social Facebook pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ai për këtë takim tha se biseduan për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore.
Tutja Abdixhiku ka treguar se ka shprehur “domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar ai.