
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë i ka caktuar një muaj paraburgim Danijel Vasiljeviqit, i cili u arrestua ditë më parë. Avokati i tij dhe familja e quajnë këtë arrestim kryekëput politik. Daniel Vasiljeviq, në vazhdimësi kishte shprehur kritika ndaj Listës Serbe dhe kryetarit të kësaj komune, Dalibor Jevtiq, shkruan Kanal10.
Megjithëse, kohërat e rrethanat kanë ndryshuar, një qytetar nga Shtërpca është prangosur të hënën, për shkak të bindjeve të tij politike.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Danijel Vasiljeviqin, pasi ai kishte shprehur kritika e akuza ndaj Listës Serbe dhe kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
Vasiljeviq, që është një qytetar i ri nga Shtërpca, kohëve të fundit ka dal kundër partisë që dirigjohet nga Beogradi, por kjo i ka kushtuar me arrestim, duke i shtuar akuzën se ka ngacmuar vajzën e kryetarit të komunës.
Madje, ndaj tij, të mërkurën, është mbajtur edhe seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë.
Seanca ndaj tij është shoqëruar me prani të shtuar të zyrtarëve policorë.
Si masë sigurie, policia kërkoi edhe largimin e mediave nga oborri i gjykatës.
Seanca ndaj të dyshuarit nga Shtërpca, Danijel Vasiljeviq, nën akuzën se ka ngacmuar vajzën e kryetarit e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, u vendos të mbahet e mbyllur, derisa ndaj tij është marrë vendimi prej 30 ditë paraburgim.
Avokati i të dyshuarit, Bekim Sylejmani e cilëson këtë çështje politike dhe të pabazë, derisa ka shtuar se do të bëjë ankesë në shkallë të dytë.
Pas vendimit të gjykatës, babai i Vasiljeviqit, ka thënë se kjo është padrejtësi që po i bëhet djalit të tij, derisa ka shtuar se nuk është askush fajtori nëse ata janë të dashuruar.
“Kjo është një padrejtësi e madhe politike. Ka dhjetë vjet që bëhet terror ndaj familjes sime. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka bërë asgjë nga ato që akuzohet. Nuk kam besim në këtë sistem, nuk kam besim në polici sepse është e korruptuar. E patë edhe vet se si erdhi policia sikur ai te ishte krimineli me i madh, e jo dikush që është gjykuar duke qenë i pafajshëm. Nëse vajza e tij është e dashuruar me djalin tim, çfarë mund të bëjë unë. Nuk kane asnjë dëshmi për pretendimet e tyre, kurse ne kemi video se si Dalibor Jevtiq e shan dhe e kërcënon gruan time dhe e fyen atë. Ku kanë mbetur këto raste të gjitha i kanë futur në sirtar. Njerëzit e tij më kanë sulmuar, me kanë rrahur dhe asgjë nuk iu ka ndodhur. Nuk punon sistemi. Familja ime është shkatërruar. Ai e ka prishur frymën multietnike të Shtërpcës”, deklaroi Goran Vasiljeviqit-Babai i Danijel Vasiljeviqit.
Ndërsa Aleksandër Arsenijeviq, aktivist politik ka thënë se nga kjo çështje vërehet se fuqia e kryetarit të Shtërpcës është shumë e madhe, duke kaluar atë të kryeministrit Kurti.
Ai shtoi se kryetari në këtë zone arrin të kontrollojë gjithçka, duke përfshirë edhe policët.
“Kam ardhur sot për ta përkrahur Daniel Vasiljeviqin. Sot mund ta shihni një padrejtësi, që i vë vulë të gjithë aktivitetit që mund t’i bëjë opozitë Listës Serbe. Kjo është një porosi e keqe e sistemit që tregon që nuk jemi të mbrojtur dhe që çdo veprimtari e jona do të provohet të shuhet. Ajo çfarë i ka ndodhur sot Danielit është e padëgjuar. Unë e njoh Danielin dhe familjen e tij dhe e di që gjithçka ka nisur pas iniciativës së tij dhe të shokëve të tij kundër ndërtimit hidrocentraleve në Shtërpcë, që është jetike për banorët këtu. Pas kësaj kanë nisur sulmet ndaj tij dhe familjes së tij. Kësaj familje i është ndaluar hyrja në disa lokale, kërcënohen vazhdimisht. Kjo çfarë po ndodhë tregon që Lista Serbe është më e fuqishmja në sistemin e Kosovës“, tha Aleksandar Vasiljeviq- Aktivist politik.
Kanal10 ka provuar të kontaktoj edhe kryetarin e komunës Dalibor Jevtiq, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Por, Igor Saviq shef i kabinetit të kryetarit të Shtërpcës, ka thënë se Danijel Vasiljeviq shquhet si njeri problematik. /Gazeta10