Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Fadil Kodra fiton “betejën” me Sveçlën

Gazeta10
07 September 2022 - 19:47

Fadil Kodra pritet të kthehet në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e ka pranuar si të bazuar ankesën e tij. Në vendimin e siguruar nga Gazeta10 thuhet se Sveçla ka dështuar të vërtetojë gjendjen faktike dhe si rrjedhojë, gabimisht ka zbatuar Ligjin Material, shkruan Kanal10.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka pranuar si të bazuar ankesën e Fadil Kodrës, i cili dy muaj më parë u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga ky këshill kanë thënë se ministria obligohet që Kodrën ta rikthejë në detyrë në afat prej 15-ditësh.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta10 thuhet se Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, pas administrimit të provave të lëndës ka konstatuar se ankesa e Kodrës është e bazuar.

Vendimi thotë se këshilli ka vlerësuar se ministri i Punëve të Brendshme me rastin e nxjerrjes së vendimit për caktimin e Shefki Abdullahut zëvendësues të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ka dështuar të vërtetojë gjendjen faktike dhe si rrjedhojë, gabimisht ka zbatuar Ligjin Material.

Sipas këtij këshilli, rezulton se në rastin konkret nuk është plotësuar asnjëri nga kushtet për përfundimin e marrëdhënies së punës së ankuesit.

Po ashtu, nuk janë plotësuar as kushtet ligjore për caktimin e zëvendësuesit të zyrtarit kryesor administrativ.

Ndërsa, vendimin e Këshillit të Pavarur e ka konfirmuar edhe avokati i Kodrës, Faton Fetahu.

Ai ka thënë se për detaje të tjera ligjore, do të jep informacione më vonë.

Ndërkaq, në kallëzimin penal që Kodra kishte ngritur ndaj ministrit Svela thuhej se i njëjti ka cënuar të drejtat e mardhënies së punës dhe ka keqpërdorur autoritetin zyrtar.

Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.

Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.