
Zëvendëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi ka konfirmuar se në Kosovë nuk është planifikuar të mbahen zgjedhjet e Serbisë.
Ai kështu iu ka përgjigjur zëdhënësit të BE-së, Peter Stanos, i cili tha se BE-ja e ka marrë me keqardhje vendimin e autoriteteve të Kosovës për të mos e lejuar praktikën e vendosur të lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
“Në vendin tonë nuk janë planifikuar zgjedhje për këtë vit. Nëse autoritetet e vendeve të tjera do të preferonin të organizonin zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, ata duhet të kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet tona një vendim dhe mbështetje pozitive”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka shtuar se përpjekja për të organizuar zgjedhje pa kërkesa paraprake nuk është në frymën e dialogut.
“Përpjekja për të organizuar zgjedhje të tilla pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk kontribuon në ndërtimin e besimit. Përderisa nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare, nuk mund të ketë vendim. Këtë supozohet se e dinte zoti Stano”, ka shkruar zv/kryeministri.
