Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, detaje nga Dosja e Prokurorisë ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë

Gazeta10
06 December 2023 - 8:57

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2023, tregon veprimet që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Bërnicë të Prishtinës, teksa rasti fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, përmendet “marrëveshja për një aksident të inskenuar”.

Aty thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli, me dashje që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Liridona, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë Liridonën.

Sipas Prokurorisë, Murseli paraprakisht e ka pajisur me armë të pandehurin Plava dhe kanë inskenuar veprën e “Grabitjes”, e cila është realizuar më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Bërnicë të Prishtinës, në atë mënyë që Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, dersia tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë.

“…të cilën i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë, ku si pasojë e plagës vdekjeprurëse, tani e ndjera Liridona Mursei ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30,000.00 E”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Me këtë, i pandehuri Murseli dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, nga neni 173, par.1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, kurse i pandehuri Plava dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal dhe secili veç e veç veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Tutje, në Dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Kushtrim Kokalla është marrë vesh me të pandehurit Murseli dhe Plava për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Prokurorisë, thuhet se i pandehuri Nam Murseli pasi që i kishte treguar Kokallës për problemet që kishte me gruan e tij, janë marrë vesh për veprimet e tyre, me qëllim të privimit nga jeta Ademajn. Ndërsa, përmendet edhe se “janë marrv vesh për një aksident i inskenuar”.

“…i pandehuri Kushtrim i ka thënë “une ta zgjidhi kete pune” dhe në ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Ndërsa, thuhet se një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve “Shell”, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka.

Pas takimit të tyre në “Shell”, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

Në këtë kërkesë, thuhet se pas takimit në Gjakovë, Murseli ka thënë Kokallës “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i thënë se do të takohet me Plavën dhe në po të njëjtën ditë, rreth orës 20:35 kryhet vrasja e Liridonës.

Prandaj me këto veprime, Kokalla po dyshohet për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.16 lidhur me nenin 35 të Kodit Penal.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ka caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt., Murselit (bashkëshorti i tani të ndjerës), Plavës (i cili dyshohet të jetë dorasi) dhe Kokallës (pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili dyshohet se ndihmoi në kryerjen e veprës).

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar dënime të ashpra, të parapara me ligj, për vrasësit e Liridonës, e cila u vra të mërkurën mbrëma në Prishtinë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postiminë Facebook, Kurti ka shkruar se Liridona Ademaj u vra me paramendim dhe u vra se ishte grua. Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.

Të martën mbrëma, në Prishtinë u mbajt marsh protestues, në kërkim të drejtësisë për Liridona Ademajn dhe gratë e tjera që u vranë nga burrat. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
04 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.