Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 policëve dhe 2 doganierëve.
Të njëjtit dyshohen për marrje ryshfeti në pikat e kalimit kufitar “Qafë Prush” dhe “Qafë Morinë”.
Sipas aktakuzës, policët e doganierët kanë marrë ryshfet për t’ua lejuar qytetarëve kalimin në kufi pa i verifikuar e kontrolluar.
Prokuroria përmes dy komunikatave të ndara ka bërë të ditur se janë ngritur ndaj 35 policëve dhe 2 doganierëve.
Njoftimet për media:
AKTAKUZË KUNDËR 12 ZYRTARËVE POLICORË DHE 2 ZYRTARËVE DOGANORË PËR MARRJE TË RYSHFETIT
Prishtinë, 26 dhjetor 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dymbëdhjetë (12) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’, dhe kundër dy (2) zyrtarëve doganorë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal.
Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi.
AKTAKUZË KUNDËR 23 ZYRTARËVE POLICORË PËR MARRJE TË RYSHFETIT DHE KEQPËRDORIM TË POZITËS APO AUTORITETIT ZYRTARË
Prishtinë, 26 dhjetor 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e tre (23) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal dhe ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal.
Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi.