
Policia e Kosovës ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me 14 kërkesat e tyre.
Kërkesat e policisë drejtuar Qeverisë kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri ka thënë se ende janë në pritje të një përgjigje nga Qeveria lidhur me kërkesat e tyre.
Zeqiri për Gazeta10 tha se janë në pritje të një takimi ndonëse nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

“Po presim me mbajt një takim, jemi në pritje dhe shpresoj që këto ditë. Ne i kemi përcjelle kërkesat tona, tani besoj që po i shqyrtojnë ato e me pas të takohemi”, tha Zeqiri për Gazeta10.
Muajin e kaluar, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka prezantuar 14 kërkesat që kanë pjesëtarët e PK-së për Qeverinë e vendit, për të cilat edhe protestuan.
Më poshtë kërkesat e paraqitura nga Policia e Kosovës:
1. Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera;
2. Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave;
3. Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës;
4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare;
5. Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor;
6. Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare;
7. Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike;
8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive;
9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg;
10. Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit;
11. Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit;
12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen;
13. Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje;
14. Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare; /Gazeta10/