Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Bayern Munichu synon ta ndalë hovin e Leverkusenit

Gazeta10
10 February 2024 - 12:39

Bayern Munichu ende ka vend për përmirësim dhe duhet që të shtunën ta shfaqë më të mirën për ta mposhtur liderin e Bundesligës, Bayer Leverkusenin.

Kështu ka thënë të premten në konferencën për shtyp, trajneri Thomas Tuchel.

Ndeshja mes Bayer Leverkusenit dhe Bayern Munichut luhet të shtunën në orën 18:30 në “BayArena” dhe i takon xhiros së 21-të të Bundesligës gjermane.

Bavarezët janë në kërkim të titullit të 12-të rresht.

Aktualisht, Leverkuseni është i pari me 52 pikë, dy më shumë se Bayern Munichu.

Leverkuseni i drejtuar nga trajneri Xabi Alonso, me Granit Xhakën lider në mesfushë, nuk dijnë për humbje në 30 ndeshje rresht, në të gjitha garat.

Bayeri ka humbur dy herë në ligë këtë sezon.

Një tjetër humbje do të bënte që të mbesnin larg pesë pikë nga Leverkuseni.

Kanë mbetur edhe 14-të xhiro për t’u zhvilluar në këtë sezon.

Bayerni do të jetë pa Alphonso Daviesin, ndërsa në dyshim për të luajtur është edhe Manuel Neuer.

Në javën e ardhshme, Bayerni luan në udhëtim te Lazio në Ligën e Kampionëve, për duelin e 1/8 së finales.

Harry Kane synon që ta vazhdojë formën e mirë të shënimit të golave.

Sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë ka realizuar 24 gola gjithsej në Bundesligë, ndërsa ka kontribuuar edhe me pesë asistime.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.