
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Kosova është përballur me sulme kibernetike javën e kaluar, raporton Gazeta10.
Këto sulme i takojnë llojit DDoS dhe të njejtat kanë shkaktuar pengesa në shërbimin e internetit si dhe qasjes në disa shërbime qeveritare.
Qeveria njofton se në asnjë moment gjatë këtij sulmi nuk janë cënuar të dhënat që ruhen në Qendrën Shtetërore.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës në Facebook.
Para pak minutash është raportuar se Telekomi i Kosovës është sulmuar nga hakerët por nuk dihet ende se a janë raste të lidhura.
Po ashtu, këto ditë Shqipëria është goditur serish nga një sulm kibernetik për të cilin është duke e akuzuar Iranini, shtetin me të cilin i ka shkëputur raportet diplomatike meqë sipas të dhënave zyrtare nga Shqipëria ka sulmuar rëndë shtetin përmes një sulmi kibernetik para pak kohësh. / Gazeta10.