Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

Beteja e humbur me fëmijët tanë!

Gazeta10
13 September 2022 - 18:53

Shkruan: Bashmir Xhemaj

Ka disa ditë që e mendoj këtë shkrim. Nisi e shkruaj dhe ndalem. Arsyet janë të shumta. Kush jam unë të deklarohem për grevën. E çfarë përgjegjësie kam të propozoj ndonjë zgjidhje – as nuk e kam në dorë qeverinë, as me sindikatat s’kam ndonjë lidhje. Kujt i plasë nëse dekarohem për këtë apo atë temë. Thjesht një qytetar i shqetësuar më shumë. Një prind i mërzitur në mesin e mijëra të tillëve që po takojë këto ditë në lagje, në punë dhe kudo rrugëve.

U binda ta shkruaj, jo për të thënë fjalë të mëdha, por që ta përcjelli deri diku rrëfimin e disa prindërve që takova këto ditë. Historia e tyre është edhe e imja. Edhe e juaja. E të fundit histori që dëgjova nisë nga Prizreni për të përfunduar në Prishtinë.

“Qysh je kojshi? Moti s’të kam pa. Çka po ndodhë me grevën bre?” mu drejtua fqinji që kisha muaj pa e takuar, dhe i cili vazhdoi pa më lënë të flasë. “Pom vjen rëndë si babë. I kam dy vajza. Njërën në shkollë private e tjetrën në publike. Njërën në shkollë, tjetrën në shtëpi. Nuk po di as qysh me ia shpjegu pse njëra nuk ka mësim e tjetra po…!” – mu drejtua prindi, që thellësisht dukej i prekur, i rrënuar dhe i zhgënjyer. “As kur kam qenë në kushte më të rënda financiare s’kam përjetuar një sprovë të tillë tragjike” – ma ktheu ai si për të më thënë me gojën plotë se … ju në Prishtinë s’po bëni gjë dhe se e keni humbur betejën me gjithëçka. Jo vetëm fjalët. Fytyra e tij fliste shumë. Zhgënjimi dukej i qartë.

Historia tjetër vazhdon në Prishtinë

Me një shoqen time që kisha kohë pa e takuar, e që rastisti ta shoh në rrugë. “Ka muaj që po merremi me djalin. Ia kemi blerë librat para kohe, çantën e materiale tjera shkollore për klasën e parë … por gëzimi i 1 shtatorit i shumëpritur për ne, është kthyer në mallkim” më thotë ajo pa shkëmbyer asnjë fjalë tjetër. “Nuk po qetësohet. Çdo ditë na pyet pse spo e dërgojmë në shkollë e ne që nuk dimë as çka t’i themi, as nga t’ia nisim e ku të përfundojmë!”. E ndjejë thellë këtë rrëfim. E kuptoj plotësisht! Ndjehem aq i pafuqishêm përballë historisë së saj të fuqishme sa që të gjithë ne dukemi të vegjël! E jam i bindur që të tilla ka qindra e mijëra. Secila familje në Kosovë po e përjeton rikthimin në kohë: ndasi, përjashtim, izolim e ndalim.

E përballë këtyre historive nuk ka vetëm një humbës. Të gjithë ne jemi të tillë. Sepse kemi dështuar më fëmijë tanë, me dëshirat, ambiciet dhe me ëndrrat e tyre. U kemi treguar se liria u fitua me gjak, se pavarësia erdhi pas shumë dekadash, se jemi në liri e kemi shtetin e shkollat tona – por nuk kemi mësim. Nuk ka rrymë kur duhet t’i bëjnë detyrat e nuk duhet të dalin vetëm në rrugë se mund t’i ngacmojë dikush. Nuk ka shkolla për ta, në Kosovën e lirë sepse mësuesit i është kujtuar të protesoj, e kryeministrit që ato kërkesa të mos i dëgjoj!

Zemra më dhemb teksa shkruaj dhe po i risjellë këto copëza historish të dhimbshme, por shumë të vërteta. Teksa shoh çdo mëngjes e mbrëmje nje grumbull fëmijësh që rrinë në oborrin e banesës dhe e kanë gjetur paqen aty. Beteja e tyre zhvillohet aty – te rruga, te oborri, te lokali e nesër ku e di ku. Sepse betejën tjetër për arsiminin e tyre duhet ta bëjmë ne. Ata do ta bëjnë të tyren me dijen.

E deri më sot – të gjithë e kemi humbur këtë betejë.

Fillimisht si prind!

Si qytetar!

Si individ!

Si mësimdhënës!

Si shoqni

Si politikë!

Si opozitë!

Si qeveri!

Çfarëdo që ndodhë tani e tutje – terri e mosdija është në avantazh ndaj dritës e bardhësisë së fëmijëve tanë. Engjëjve që sa herë zgjohemi dhe i shohim teksa rriten u themi – ju jeni e tashmja dhe e ardhmja jonë! Fatkeqësisht, në realitet ata po kthehen në kokëdhimbjen tonë!

Autori është Kryredaktor i Gazeta 10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
23 August 2026
Opinion 10
04 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.