Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Prokuroria e Shtetit ka mundësi t’i ndjekë kriminelët e luftës, e ka mbështetjen e parezervë të Qeverisë

Gazeta10
28 March 2024 - 15:08

Kryeministri Albin Kurti të enjten ka bërë homazhe te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, e më pas ka vazhduar për në Izbicë për të përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur.

Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës.

Kurti ka thënë se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg.

“Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin ‘Patkoi’ synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai.

Ai ka theksuar se është e padrejtë që për masakrën e Izbicës të jetë arrestuar vetëm një person deri tash.

Kurti ka potencuar se Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë për të gjykuar në mungesë. Ai e ka shtyrë Prokurorinë që të bëjë gjithçka që di e mundet që kriminelët e luftës të dënohen.

“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë… Sot mundësitë janë më të mëdha, pagat i kanë të larta, kushtet i kanë të mira të punës, krejt çfarë kërkohet është vullnet dhe dije të Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Kurti. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.