
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar një person që dyshohet se është një nga administratorët e grupit “Albkings”.
Sipas njoftimit, pas raportimeve në media Prokuroria ka iniciuar hetime për identifikimin e personave që kanë menaxhuar këtë llogari përmes të cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të grave në aplikacionin Telegram.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale.”
Më pas, më 16 prill është arrestuar i dyshuari dhe Prokuroria thotë se do të vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave tjerë të përfshirë në rast.