
Mbrojtësi brazilian, Thiago Silva do t’i japë fund aventurës së tij te Chelsea sapo të përfundojë edicioni aktual.
Silva ka kontratë me Chelsean deri në qershor të këtij viti dhe nuk e ka në plan ta vazhdojë bashkëpunimin me ekipin londinez.
39-vjeçari kishte oferta për tu larguar edhe në janar nga Chelsea, por vendosi që ta përmbushë deri në fund kontratën e tij me “Blutë e Londrës”.
Këtë edicion ai ka zhvilluar 32 paraqitje me Chelsean në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar katër gola.
Silva erdhi te Chelsea në verën e vitit 2020 si transfer i lirë, pas një periudhe tetëvjeçare të kaluar te Paris Saint-Germaini.
Mbrojtësi brazilian deri më tani me Chelsean ka fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për klube dhe Superkupën Evropiane.
39-vjeçari ka disa oferta në tavolinë dhe do të vendosë për të ardhmen e tij pas përfundimit të sezonit.
Fluminense është skuadra që po insiston më së shumti në transferimin e tij dhe me gjasë Silva vitet e fundit të karrierës do t’i kalojë jashtë futbollit evropian.