
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mirëpritur pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Përmes një komunikate, thuhet se Kurti gjatë takimit me ta, ka folur për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e Kosovës, për të cilat ka thënë se s’mund të ndahen veçmas njëra nga tjetra.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti mëngjesin e sotëm bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ky seminar është themeluar më 1974 dhe këtë vit shënon 50-vjetorin e tij, teksa edicioni i 42-të me radhë, ka mbledhur kësaj here rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta dhe albanologë nga e gjithë bota. Ai shtoi se gjurmët e punës së studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare vërehen gjithandej, qoftë tek njerëzit të cilët punojnë dhe lëvrojnë gjuhën dhe letërsinë tonë, por gjithashtu edhe te veprat të cilat lexohen e botohen. Ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e popullit tonë, për të cilat shprehu se nuk mund të ndahen apo mësohen veçmas njëra nga tjetra. U diskutua edhe për raportin e përdorimit të gjuhës me zhvillimin e teknologjisë, e sidomos në lidhje me inteligjencën artificiale, shanset dhe rreziqet përkatëse”, thuhet në komunikatë.
Më tej, thuhet se Kurti ka falënderuar ata për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar përmes pjesëmarrjes në këtë seminar.
Qeveria përmes MAShTI-t e ka mbështetur organizimin e këtij seminari, e këtë vit si rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës, si dhe do të vijojë të përkrahë iniciativa të tjera të cilat shërbejnë për studimin, njohjen dhe zbërthimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë së Kosovës.