
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas deklaratës së Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha sot se Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, s’ka pasur sukses që ta bind Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA’n.
Zulfaj ka thënë se ka një zgjidhje kompromisi, por se Serbia po e kushtëzon.
Tutje Zulfaj ka thënë se Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe se Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit.
Pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, ka shkruar Zulfaj.