
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kujtuar Leotrim Ahmetin i cili u vra nga regjimi serb në Rezallë të Skenderajt.
“Leotrim Ahmeti, 7 vjeçar, ndërroi jetë më 11 shtator të vitit 1998 në Spitalin Ushtarak në Gradicë të Drenasit. Plagëve nuk u mbijetoi as shoqja e tij e klasës, Xufe Ahmeti, 7 vjeçare, e plagosur atë ditë”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Oborri i familjes Ahmeti në Rezallë të Skenderajt ishte plot me fëmijë. Po prisnin të hipin në traktor. Po largoheshin nga shtëpia pas sulmeve të forcave serbe në fshat. Shtëpia u sulmua me minahedhës. Tymi mbuloi oborrin. Shumë nga fëmijët u plagosën rëndë.
“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku. Kur ia kam hjek teshat ia kam parë se iu kish qky barku dhe i kishin ra zorrët. Ia kam qit xhemperin me ia mbulu. Më ka thënë: Ma nanë, mos m’prek, se po m’dhem’ shumë’”, rrëfen nëna e Leotrimit, Shukria.
Leotrim Ahmeti, 7 vjeçar, ndërroi jetë më 11 shtator të vitit 1998 në Spitalin Ushtarak në Gradicë të Drenasit. Plagëve nuk u mbijetoi as shoqja e tij e klasës, Xufe Ahmeti, 7 vjeçare, e plagosur atë ditë.
Sot kujtojmë Leotrimin, Xufen dhe të gjithë fëmijët martirë. Qëndrojmë në rrugën e drejtësisë dhe të paqes, për t’u siguruar që të gjithë fëmijët e Kosovës, të mund të luajnë të lirë, pa frikën e plumbave dhe granatave.
Sakrifica e tyre na kujton se sa i lartë është çmimi i lirisë sonë.