
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ishin sot në Qeveri për një takim me kryeministrin Albin Kurti, pas të cilit, siç thotë zyra e shefit të Ekzekutivit, dolën të gëzuar.
Sejdiu dhe Moisiu ishin mysafirë të Kurtit pasi të tre morën pjesë të shtunën në konferencën “Balkan Leadership Conference”, të organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë.
ZKM thotë se “u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe botë”.
“Z. Moisiu dhe z. Sejdiu i uruan Kryeministrit punë të mbarë dhe suksese të mëtutjeshme edhe duke iu gëzuar faktit të progresit ekonomik të Kosovës të arritur gjatë viteve të fundit”, thuhet në njoftim.