Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

“Ministri ish palu, m’u dhimke”, “Albini ia jep fuqinë”, deklarata të forta në “Politiko” për Dejona Mihalin

Gazeta10
15 October 2024 - 12:54

Në emisionin “Politiko” të hënën është komentuar edhe publikimi i mesazheve mes koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqit, e ku të ftuar kanë qenë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha dhe panelistët Nexhmedin Spahiu, Adrian Çollaku, Krenar Shala dhe Pranvera Ejupi-Hajzeraj, e ku nuk kanë munguar as përplasjet mes tyre dhe deklaratat e forta.

Ironi për komunikimin mes Mihalit dhe Krasniqit ka shprehur fillimisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili i është referuar koordinatores së VV-së si “Mihajlova”, shkruan Gazeta 10.

Ai gjithashtu ka hedhur akuza se shumë hetues janë shkarkuar për shkak të skandaleve që ka pasur qeveria Kurti.

“Energjia nuk është çështje korruptive, është çështje e krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe rezervat e shtetit. Të gjithë hetuesit që i kanë hetuar këto çështje janë shkarkuar, i kam në fletë me emra. Pra, kjo është Dejona Mihajlova, ajo “non grata” e Kosovës, e cila po udhëheq gjithë politikën e Qeverisë së Kosovës”, tha Berisha në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Nga ana tjetër, analisti politik, Adrian Çollaku ka thënë se kontrolli i Mihalit ndaj VV-së është veçse i ditur, teksa ka thënë se Dejona Mihali e merr fuqinë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Kemi publiku një rast, te një deputeti ose ministri që kështu ish palu, ajo fotografia flet vetë. Nëse s’gaboj para një viti e gjysmë, ai ministri i shkretë mu dhimke, qysh ishte ulur në tavolinë. Dejona është mekanizmi zbatues sepse Albini ia jep fuqinë”, tha Çollaku.

Por gjatë debatit ishte analisti Krenar Shala, i cili ka hedhur dyshime nëse publikimi i bisedave private është thyerje e ligjit.

“Fillova të mendoj mos është thyerje e ligjit ky publikimi i bisedave private”, tha Shala.

Megjithatë, kjo shkaktoi të qeshura tek panelistët, ku ishte Çollaku, ai i cili e kundërshtoi Shalën, duke i thënë “Po ata s’kanë folë se a po pijmë kafe o Shalë”.

Nga ana tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu hodhi dyshime për mënyrën e sigurimit të këtyre mesazheve, duke thënë se ndihet i habitur nga fakti se vetëm një limit i caktuar i medieve po mund  t’i sigurojnë dokumentet sekrete.

“Mu po më habit fakti se qysh një limit i caktum po arrijnë që dokumentet sekrete me i shti në dorë”, tha Spahiu, porse kjo hasi në kundështim tek panelistët, të cilët thanë se nuk ka rëndësi se nga kush publikohen dhe se kjo nuk është relevante.

Ndërkaq analistja Pranvera Ejupi-Hajzeraj tha se të gjitha qeveritë në Kosovë, përfshirë edhe këtë të Kurtit po u dalin shumë gabime.

“Është për keqardhje, nuk është per me na gëzu se çka po ndodh, edhe këto mesazhe që kanë dalë, duhet me u marrë organet kompetente,” tha Ejupi-Hajzeraj.

Ndryshe, në emisionin “Politiko” të hënën u diskutua edhe për pjesëmarrjen e Kurtit në Samitin e Berlinit, si dhe për problemin me furnizimin me ushqim për ushtarët e FSK-së, teksa nuk munguan debatet e forta, derisa u kritikua qeveria Kurti dhe u kërkua shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.