
Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, do të qëndrojë këtë të hënë për vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast ka zhvilluar takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Arsyen e kësaj vizite në Kosovë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, O’Brien do t’i zbulojë në një intervistë ekskluzive në “Politiko” me Kushtrim Sadikun sonte në orën 20:20.
E gazetari, Kushtrim Sadiku për emisionin “Raport” dha më shumë detaje rreth kësaj interviste, raporton Gazeta10.
“O’Brien për shikuesit dhe gjithë ata që na ndjekin neve në këtë transmetim, është me rëndësi të theksohet që nuk është një diplomat, burokrat që Kosovën dhe Serbinë i sheh nga një pozicion, përtej Atlantikut pa ndonjë emicion, pa ndonjë të veçantë. Kjo për arsye se O’Brien për një periudhë të gjatë kohore ka punuar me heroinën e kosovarëve, Madeleine Albright, dhe siç e dimë ajo ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në kuadër të periudhës së viteve 90-të. Intervista nuk është xhiruar ende por çfarë pritet të ketë është natyrisht nga pikëpamja personale e tij, nga ndërlidhshmëria me Kosovën, kosovarët dhe rajonin dhe tek obligimet ndërkombëtare që vinë”, deklaroi Sadiku.
Tutje, sipas tij ndihmës sekretari amerikan O’Brien e di se si funksionon Ballkani dhe se cilat mund të jenë zgjidhjet.
“Pra O’Brien nuk është një burokrat i thjeshtë, është një zotëri i njohur për kosovarët, diplomat që e njeh në palcë problemin e Kosovës dhe Serbisë, dhe natyrisht qëndrimi i tij ka një peshë shumë të madhe. E njeh Kosovën, e di si funksionon Ballkani dhe e di se cilat mund të jenë zgjidhjet”, shtoi ai mes tjerash. /Gazeta10