Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​KOSTT nuk ka qasje fizike në veri, dështon projekti për nënstacionin në Vallaq

Gazeta10
27 September 2022 - 15:58

Sistemi energjetik në veri të Kosovës vazhdon të mos kontrollohet nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kompania publike KOSTT nuk po arrin të investojë në linjën energjetike në nënstacionin në Vallaq të pjesës veriore në Mitrovicë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT, Sabri Musiqi ka thënë se kjo kompani për arsye të pamundësisë së qasjes fizike, nuk po arrin ta realizojë projektin për investime në Vallaq.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Musiqi ka pranuar të gjeturat e raportit të fundit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për ndryshimin e listës së prioriteteve në realizimin e projekteve, me arsyetimin e kërkesave specifike.

Krahas të gjeturave, Arben Selimi nga Zyra e Kombëtare e Auditimit gjatë raportimit në komision, ka thënë se KOSTT-i nuk ka zbatuar projektet me prioritet të lartë as pas 5 vjetëve.

Nga auditori u tha se projektet në vlerë prej 27.4 milionë euro nuk janë realizuar ende edhe pse janë cilësuar me prioritet dhe janë aprovuar nga ZRRE-ja.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT, Sabri Musiqi pranoi se nuk është bërë procedimi sipas planit zhvillimor.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka kritikuar KOSTT-in për veprimet projekto-ndërto.

Deputeti Driton Hyseni ka thënë se për të gjitha të gjeturat edhe sa i përket atyre për avancime dhe emërime pa procedura konkurruese, të procedohen në prokurori.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti tha se disa të gjetura janë adresuar në prokurori, siç është rasti për avancimet pa konkurse.

Mehmeti theksoi se janë të përkushtuar në përmbushjen dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga auditori.

Deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka kërkuar nga KOSTT që të gjitha të gjeturat të përmirësohen dhe adresohen. Lekaj ka kërkuar po ashtu përgjegjësi edhe për ngecjen e investimeve nëpër nënstacione.

Në fund Komisioni nuk e hodhi në votim raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performancës së ndërmarrjes publike KOSTT pasi që drejtuesve të kësaj kompanie iu kërkuan dokumente shtesë sa i përket zbatimit të këtyre rekomandimeve. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.