
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga homologu i tij në Japoni, Fumio Kishida, të cilin e ka ftuar për një vizitë në Kosovë, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se atë e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ia ka dhënë Kosovës.
Më tej, i pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova dhe Japonia ndajnë pikëpamje të njejta në aspektin vleror dhe atë strategjik.
Kurti ka njoftuar se Kishida i ka dërguar përshëndetje popullit të Kosovës.
Këtu keni statusin e plotë:
“Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, na priti për vizitë Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida. I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës. Tregova për të arriturat socio-ekonomike të Kosovës dhe interesimin tonë për investime nga Japonia, teksa konfirmova pjesëmarrjen tonë në EXPO Osaka 2025. Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën ne ndajmë pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike. Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10