
Lidhja Demokratike e Kosovës sot nga Podujeva ka nisur një fushatë në terren dhe u paralajmëruan një sërë ngjarjesh e takimesh për të biseduar me strukturat e partisë dhe qytetarët.
Kryetari Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK-ja duhet të jetë shumë më afër qytetarëve, të dëgjojë problemet e nevojat e tyre, dhe të krijojë zgjidhje që do të zbatohen në programin e ri partiak të LDK-së.
Ai kritikoi qeverinë se është krejtësisht e paaftë, dhe nuk po mundet që të përballet dhe t’iu përgjigjet problemeve të qytetarëve, ndërkohë që vendi është duke stagnuar në çdo fushë, ekonomi, arsim, shëndetësi, energji apo investime.
Abdixhiku u shpreh se në vend se Qeveria Kurti të japë zgjidhje ajo po prodhon krizë, në vend të dialogut dhe efikasitetit po shohim kërcënime dhe mungesë të plotë të realizimit të projekteve.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka ofruar zgjidhje për shumicën e problemeve dhe i ka propozuar qeverisë veprime konkrete për përballimin e krizës, rritjen e shpenzimeve publike, uljen e efekteve negative të inflacionit dhe përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë.
LDK-ja në muajin e ardhshëm ka paralajmëruar se do të mbajë më shumë se 30 ngjarje, takime, debate dhe vizita në mbarë vendin./Gazeta10