
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe “s’ka dyshim që do të rrëzohet”.
“I vetmi rezultat që do ta prodhojë vendimmarrja e sotme, është paraqitja jonë si palë ku ndërhyhet politikisht në zgjedhje”, deklaron Cakolli.
Postimi i tij i plotë:
Vendimin për moscertifikimin e Listës Serbe, s’ka dyshim që do të rrëzohet. PZAP-ja ose Gjykata Supreme. Veçse kemi precedent të ngjashëm nga viti 2019, kur PZAP-ja dhe Gjykata Supreme kishin konfirmuar se KQZ-ja nuk ka autoritet ligjor të shtojë kritere përtej atyre formale të përcaktuara me ligj – kritere që Lista Serbe i plotëson nominalisht, meqë statuti dhe programi i saj nuk përmbajnë referime kundërkushtetuese.
I vetmi rezultat që do ta prodhojë vendimmarrja e sotme, është paraqitja jonë si palë ku ndërhyhet politikisht në zgjedhje, ku nuk përfillen kriteret e caktuara ligjore, apo ku partitë e komuniteteve jo-shumicë “pengohen” të garojnë në zgjedhje.
Sistemi ligjor nuk funksionon me fjalë e diskurs, por me procedura dhe rregulla. Prandaj, edhe në këtë rast, s’është hiç me rëndësi kush është palë.