Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Kapiteni i Gjermanisë U17, Christian Prenaj: Jam krenar që kam prejardhje nga Kosova, nuk jam kontaktuar nga FFK-ja

Gazeta10
29 January 2025 - 17:39

Christian Prenaj është njëri nga lojtarët e rinj më me perspektivë në futbollin gjerman.

Mesfushori me tipare ofanzive aktivizohet te grupmosha U17 e Eintracht Frankfurt, teksa është edhe kapiten i kombëtares U17 të Gjermanisë.

Prenaj ka qenë pjesë edhe e grupmoshave U15 e U16 të “Die Mannschaft”, teksa deri më tani ka zhvilluar gjashtë paraqitje me Gjermaninë U17.

Mesfushori nga Klina ekskluzivisht për Kanal10 deklaron se është shumë i lumtur me ecurinë e karrierës së tij, si te Eintracht Frakfurti, ashtu edhe te grupmoshat e reja të Gjermanisë.

“Për momentin jam shumë i lumtur te Frankfurti dhe atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Trajnerët dhe i gjithë stafi i klubit më kanë përkrahur dhe ndihmuar shumë.”

“Është një nder i madh për mua të jem kapiten i kombëtares gjermane dhe ndihem shumë krenar që ata kanë besim në punën time”, tha fillimisht mesfushori nga Klina.

 

Prenaj tutje flet për synimet që i ka në të ardhmen.

“Do të vazhdojë të punojë shumë çdo ditë,shpresoj që të përmirësohem çdo ditë e më shumë. Ëndrra ime është që të luaj në nivelet më të larta të futbollit profesionist, mirëpo në radhë të parë shpresoj që të mos përballem me lëndime”, shtoi ai.

Christian Prenaj shihet si një nga futbollistët më me perspektivë në futbollin gjerman, por çuditërisht ai nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Personalisht nuk jam kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, por kam dëgjuar se ata kanë interes për mua”, tha mesfushori 17-vjeçar.

Prenaj për fund tha se nuk e përjashton mundësinë që një ditë të luaj për “Dardanët”.

“Për momentin jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares së Gjermanisë, jam shumë krenar si një lojtar me prejardhje nga Kosova të jem pjesë e kësaj kombëtare. Është nder i madh për mua të jem ndër 30 futbollistët e rinj më të mirë në Gjermani. Për momentin fokusi im është te Gjermania, por nuk i dihet se çfarë mund të sjellë e ardhmja”, përfundoi ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.