Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Pranohet me shkrim deklarata e një dëshmitari në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Gazeta10
07 April 2025 - 17:25

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është pranuar në prova materiale dëshmia e dëshmitarit me kodin W01605.

Vendimi është marrë më 3 prill 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, më 13 shtator 2024 ishte konstatuar se dëshmia e këtij dëshmitari ishte e përshtatshme për t’u pranuar sipas Rregullës 154. Ndërsa, më 14 mars 2025, ZPS-ja kishte paraqitur kërkesë për pranimin e kësaj deklarate sipas Rregullit 153, e që mbrojtja nuk kishte dhënë përgjigje në të.Që nga paraqitja e kërkesës për pranimin e dëshmisë së këtij dëshmitari sipas Rregullës 154, ZPS-ja ka thënë se ekzistojnë rrethana që çuan në paraqitjen e kësaj kërkese për pranimin e dëshmisë së tij në bazë të Rregullës 153.

ZPS-ja ka thënë se kjo dëshmi përveç Rregullës 153, i përmbush edhe kushtet e Rregullës 138.

Trupi gjykues ka vlerësuar se deklarata e W01605 përmban dëshmi që janë mbështetur edhe nga dëshmitarë të tjerë të cilët tashmë mbrojtja e të akuzuarve e ka pasur mundësinë që t’i ballafaqojë.

Veç kësaj, në vendim thuhet se deklarata nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve siç është përshkruar në aktakuzë.

Aty thuhet se trupi gjykues është i bindur se deklarata e këtij dëshmitari në parim ka vlerë provuese dhe se kërkesa për një gjykim të drejtë dhe të shpejtë e justifikojnë pranimin e saj pa kundërpyetje nga mbrojtja.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.