
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se ministria që ai drejton do ta furnizojë FSK-në me armatim modern dhe se është punuar tashmë në këtë drejtim, raporton Gazeta10.
Mehaj ka thënë se është njoftuar me zhvillimet më të fundit teknologjike rreth armatimit në kuadër të panairit vjetor të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tutje, Mehaj ka thënë se me ndryshimin e kushteve gjeopolitike Kosova është e interesuar ta ndryshojë edhe nivelin e investimeve në këtë drejtim.
Më tej, Mehaj ka thënë se vetëm gjatë viti 2021 Kosova ka investuar 96% më shumë se në vitin 2019.
Këtu keni postimin e plotë:
“Në panairin vjetor të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takuam përfaqësues të kompanive më të njohura prodhuese të paisjeve ushtarake, si dhe po ashtu u njoftuam me zhvillimet më të fundit teknologjike në këtë fushë përmes prezantimeve informuese si dhe paneleve të diskutimit mbi tema ushtarake dhe të sigurisë kombëtare.
Me ndryshimin e kushteve gjeopolitike, avancimin e teknologjisë, avancimin e bashkëpunimit me shtetet aleate, ngritjen e aspektit profesional të ushtrisë, jemi të interesuar që proporcionalisht të ngrisim edhe nivelin e investimit me paisje ushtarake.
Gjatë vitit 2021 kemi investuar në këtë drejtim 96% më shumë sesa në vitin 2019, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet që investimi të jetë 99% më i lartë.
Synimi ynë është që ushtria e Republikës së Kosovës të jetë e pajisur me armatimet më moderne ushtarake, e gatshme për të përballuar të gjitha sfidat e sigurisë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10.