
Kampionia e Kosovës, Drita sonte do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të play-offit për inkuadrim në grupet e Ligës së Konferencës.
Gjilanasit në Luksemburg do të luajnë kundër Differdange, për të arritur suksesin më të madh në historinë e klubit.
Ndeshja e parë që u luajt në “Fadil Vokrri” javën e kaluar përfundoi me shifrat 2-1 në të mirë të “Intelektualëve”.
Golat në atë ndeshje për Dritën i shënuan Albert Dabiqaj dhe Besnik Krasniqi, ndërsa për mysafirët kishte realizuar Andreas Buch.
Këto dy skuadra janë përballur edhe njëherë këtë edicion në garat evropiane, saktësisht në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, me Dritën që kishte kaluar tutje me rezultar të përgjithshëm 4-2.
Në Luksemburg muajin e kaluar Drita kishte triumfuar me shifrat 2-3, ndërsa fitore synon edhe sonte, megjithëse kalon tutje edhe me një barazim eventual.
Mungesë e madhe për Dritën në këtë ballafaqim do të jetë kapiteni Rron Broja, i cili mungon shkaku i lëndimit.
Deri më tani, Ballkani është e vetmja skuadër kosovare që ka arritur grupet e Ligës së Konferencës, ndërsa një sukses të tillë e synon edhe Drita sonte.
Kjo përballje luhet në “Stade Municipal de Differdange” me fillim nga ora 20:00.