
Një zjarr i madh ka shpërthyer të shtunën në burgun famëkeq “Evin” të Iranit, i njohur për strehimin e të burgosurve politikë, gazetarëve dhe shtetasve të huaj, transmeton Gazeta10.
Videot e shpërndara në internet treguan flakë dhe tym në Teheran dhe mund të dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shpërthime.
Një zyrtar i cituar nga media shtetërore tha se situata ishte nën kontroll, por pamjet në video dukeshin se zjarri vazhdonte edhe pas kësaj deklarate.
Irani është përfshirë prej javësh nga protestat antiqeveritare.
Ato shpërthyen për herë të parë muajin e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares, kurde-iraniane Mahsa Amini, e cila ishte në paraburgim nga policia. Zyrtarët thanë se ajo vdiq nga një atak në zemër, por familja e saj e kundërshtoi këtë, duke thënë se ajo ishte rrahur nga policia e moralit.
Rana Rahimpour e BBC-së në Persi tha se ende nuk dihet nëse situata në burg është e lidhur me demonstratat e fundit.
“Por kjo mund të ndodhë shumë lehtë”, tha Rana, pasi qindra protestues janë dërguar në Evin.
“Tetë persona u plagosën”, tha media e kontrolluar nga shteti, IRNA.
Duke folur nga brenda burgut, guvernatori i Teheranit i tha televizionit shtetëror se kishte një trazirë në një krah të burgut që strehonte kriminelë të vegjël dhe situata tani ishte plotësisht e qetë.
Pamjet dramatike të zjarrit dhe tymit u postuan për herë të parë në rrjetet sociale mbrëmjen e së shtunës./Gazeta10.