
Këshilltarja e Presidentes së Republikës së Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, të bëra së fundi në një emision televiziv, ku ajo kritikoi Presidenten Vjosa Osmani.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Kadaj Bujupi ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që një deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetare e një partie tradicionale “të mos ketë problem me Listën Serbe, por të sulmojë publikisht Presidenten e vendit”.
“Vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por të ketë problem me Presidenten e vet. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë,” ka shkruar Kadaj Bujupi.
Ajo ka mbrojtur punën e Presidentes Osmani, duke thënë se ajo “punon çdo ditë për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit” dhe se gjuha ofenduese ndaj saj është e papranueshme.
Në fund, Kadaj Bujupi ka shtuar se kushdo që nis beteja politike kundër Presidentes, “nuk duhet të ankohet për rezultatet zgjedhore”, duke aluduar në përkrahjen e lartë që Osmani gëzon në opinionin publik.